Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
30 shtator 2025
Ministri i Financave të Izraelit, Bezalel Smotrich, ka kritikuar ashpër kryeministrin Benjamin Netanyahu për miratimin e planit të presidentit amerikan Donald Trump, i cili synon t’i japë fund luftës në Gaza.
Në një postim në rrjetin social X, Smotrich e cilësoi “absurde” festimin e marrëveshjes dhe e përshkroi miratimin e saj si “një tragjedi e një udhëheqjeje pa vizion të vërtetë”. Ai njoftoi se gjatë ditës do të zhvillohen konsultime për të diskutuar mbi këtë çështje.
Kujtojmë se plani i Trump-it për paqen në Gaza, i publikuar dje më 29 shtator, u shpall në Shtëpinë e Bardhë pas një takimi me kryeministrin Netanyahu.
Ky plan përmban 20 pika dhe parashikon ndërmarrjen e një serie masash për të ndalur luftën në rajon. Sipas tij, brenda 72 orëve, Hamas duhet të lirojë 20 pengje izraelitë të gjallë dhe trupat e tyre të pajetë. Pas kësaj, Izraeli do të lirojë qindra të burgosur palestinezë.
Në një konferencë të përbashkët për mediat, Trump dha detaje mbi planin, duke përfshirë krijimin e “Bordit të Paqes” që do të drejtohet nga vetë ai, shkatërrimin e tuneleve dhe objekteve të Hamasit, si dhe përfshirjen e vendeve arabe dhe myslimane në procesin e de-militarizimit të Gazës.
Forcat izraelite do të tërhiqen gradualisht, ndërsa do të trajnohen forca lokale policore. Trump theksoi se “palestinezët duhet të jenë të përgjegjshëm”. Të dy liderët paralajmëruan se nëse Hamas refuzon planin, ofensiva do të vazhdojë.

















