Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
10 nentor 2025
Kombëtarja shqiptare ka ngritur “kampin” në Barcelonë, aty ku po përgatitet për dy ndeshjet që do të shkruajnë fatin e saj drejt Botërorit 2026. Kuqezinjtë do të përballen fillimisht me Andorrën dhe më pas me Anglinë, në dy sfida që vlejnë më shumë se tre pikë.
Mbrojtësi Mario Mitaj, në një prononcim për fshf.org, ka shprehur besim se skuadra do të vazhdojë momentin e mirë që po kalon:
“Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, e dimë çfarë presim. Sidomos ajo me Andorrën është vendimtare, duhet të jemi të gjithë të fokusuar dhe të hyjmë për fitore,” – u shpreh ai.
Mitaj e sheh grupin të bashkuar dhe plot energji, duke theksuar se objektivi është i qartë: fitorja.
“Vijmë pas tre fitoreve radhazi, jemi në formë shumë të mirë. Duhet të futemi në fushë vetëm për fitore. Të gjithë çunat janë të karikuar, e dimë rëndësinë e ndeshjes dhe do të japim maksimumin,” – shtoi mbrojtësi.
Në fund, ai nuk e nënvlerësoi Andorrën, por nënvizoi se çelësi i suksesit qëndron te përqendrimi dhe loja e skuadrës.
Kuqezinjtë tashmë kanë sytë nga horizonti i Botërorit — dhe rruga drejt ëndrrës kalon nga Andorra.

















