Laçi: Vizita në Izrael i shërben Ramës për betejën me SPAK-un dhe për një vizitë në SHBA

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

27 janar 2026

Analisti Marlind Laçi, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka deklaruar se vizita zyrtare e kryeministrit Edi Rama në Izrael po shfrytëzohet për interesa personale dhe politike, kryesisht në raport me drejtësinë e re në Shqipëri dhe për të lobuar për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Laçi e cilësoi si skandaloz fjalimin e Ramës në Knesset, duke theksuar se kryeministri shqiptar po pozicionohet në krah të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili, sipas tij, është përgjegjës për dhjetëra mijëra viktima në Gaza, përfshirë mijëra fëmijë, gra dhe të moshuar, dhe kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

Sipas analistit, nga njëra anë kemi një kryeministër izraelit të akuzuar ndërkombëtarisht, ndërsa nga ana tjetër një kryeministër shqiptar që, sipas Laçit, po e çon Shqipërinë drejt një krize të thellë demografike, ekonomike dhe sociale. Ai u shpreh se kjo vizitë i shërben Ramës kryesisht për shkak të frikës nga drejtësia dhe SPAK-u, si dhe për përmirësimin e marrëdhënieve të ftohta me SHBA-në, përmes lobimit të qarqeve pro-izraelite.

Laçi kritikoi edhe deklaratat e Ramës lidhur me shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke thënë se kjo ndodhi jo për shkak të përkatësisë fetare, por sepse shqiptarët mbrojtën viktimat. Sipas tij, sot viktimat e një gjenocidi të dokumentuar janë palestinezët dhe historia, në këtë rast, po deformohet.

Analisti paralajmëroi se Shqipëria rrezikon të përfshihet në pasoja të rënda ndërkombëtare nëse Benjamin Netanyahu arrestohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, duke e krahasuar situatën me proceset gjyqësore të Nurembergut pas rënies së nazizmit.

Në përfundim, Laçi tha se këto qëndrime politike të kryeministrit Rama po rrezikojnë imazhin dhe interesat e Shqipërisë si shtet, duke shtuar se izolimi i Netanyahut nga Bashkimi Europian dhe marrëdhëniet e tij të tensionuara me vendet demokratike e bëjnë këtë vizitë të diskutueshme. Ai theksoi se, sipas tij, Izraeli po e përdor Shqipërinë si një mjet për të përmirësuar imazhin diplomatik, duke përmendur se ftesa iu bë edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili nuk e pranoi vizitën.

Scroll to Top