Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
18 nentor 2025
Prishtina do të jetë në qendër të vëmendjes sonte, teksa kombëtarja e Kosovës luan ndaj Zvicrës në ndeshjen e fundit të kualifikimeve direkte për Kupën e Botës 2026. Takimi nis në ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku mijëra tifozë pritet të krijojnë një atmosferë elektrizuese.
Kosova hyn në këtë sfidë me 10 pikë në Grupin K, duke ndjekur Zvicrën, që kryeson me 13 pikë. Trajneri Franco Foda ka theksuar rëndësinë e një paraqitjeje solide dhe formën e lartë të disa lojtarëve, me veçori te Fisnik Asllani, i cili po spikat me gola dhe lëvizje vendimtare në hapësira të ngushta.
Megjithëse matematikisht Kosova është ende në garë për kualifikim të drejtpërdrejtë, një fitore me diferencë 6:0 ndaj Zvicrës duket skenar i vështirë.
Pavarësisht rezultatit të ndeshjes, “Dardanët” kanë siguruar pjesëmarrjen në playoff, ku në mars 2026 do të kërkojnë biletën për në Botëror.

















