Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
06 shkurt 2026
Paris Grand Slam 2026 do të mbahet më 7 dhe 8 shkurt në kryeqytetin francez dhe përfaqëson një nga turnetë më prestigjioze të kalendari ndërkombëtar të xhudos. Kompeticioni pritet të mbledhë 499 garues nga 80 shtete dhe gjashtë kontinente, duke e kthyer Parisin në qendrën botërore të këtij sporti për dy ditë radhazi.
Edhe këtë herë, Kosova synon podiumin, duke u paraqitur me një ekip të përzgjedhur xhudistësh elitarë dhe duke konfirmuar statusin e saj si një prej kombëtareve më të forta në arenën ndërkombëtare. Gara tradicionale tërheq mijëra shikues në sallë, ndërsa ndiqet nga miliona sportdashës përmes transmetimeve televizive globale.
Ngjyrat e Kosovës do të përfaqësohen nga Erza Muminoviq (-48 kg), Distria Krasniqi (-52 kg), Fatjona Kasapi (-52 kg), Flaka Loxha (-57 kg), Laura Fazliu (-63 kg) dhe Akil Gjakova (-73 kg). Vëmendja kryesore do të jetë te emra të konsoliduar si Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu, por edhe te xhudistët e rinj që synojnë të lënë gjurmë në një turne të nivelit Grand Slam.
Përveç prestigjit, Paris Grand Slam ofron pikë të vlefshme për renditjen botërore dhe kualifikimet olimpike, çka e bën çdo duel vendimtar për karrierën e sportistëve.
Ekipi kosovar do të udhëhiqet nga kryemjeshtri Driton Kuka, figura kyçe e sukseseve historike të xhudos së Kosovës, së bashku me trajneren Majlinda Kelmendi. Kombinimi i përvojës, disiplinës dhe mentalitetit fitues mbetet forca kryesore e Kosovës në këtë arenë elitare.
Paris Grand Slam 2026 shihet si një tjetër provë e madhe, por edhe si një mundësi reale për medalje dhe për forcimin e mëtejshëm të emrit të Kosovës në skenën botërore të sportit.

















