Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
12 nentor 2025
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka urdhëruar forcat e sigurisë që të ndërpresin ndarjen e informacionit të inteligjencës me Shtetet e Bashkuara, pas sulmeve të kryera nga ushtria amerikane ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe.
Në një postim në platformën X, Petro tha se ushtria kolumbiane duhet të pezullojë “çdo komunikim dhe marrëveshje me agjencitë amerikane të sigurisë” derisa SHBA-ja të ndalojë këto sulme, të cilat ai i cilësoi si “ekzekutime jashtëgjyqësore”.
“Lufta kundër drogës duhet të respektojë të drejtat e njeriut të popujve të Karaibeve,” ka theksuar presidenti kolumbian.
Sipas raportimeve të AP dhe CNN, mbi 75 persona janë vrarë në operacionet amerikane që nga gushti, ndërsa Britania e Madhe ka ndërprerë gjithashtu bashkëpunimin e inteligjencës me SHBA-në për këtë çështje.
Petro ka kërkuar që presidenti amerikan, Donald Trump, të hetohet për “krime lufte”, duke pretenduar se sulmet kanë prekur civilë nga Venezuela, Ekuadori, Kolumbia dhe Trinidadi e Tobago.
Udhëheqësi kolumbian, i njohur për qëndrimin kritik ndaj politikave amerikane për drogën, tha se është takuar me familjen e një peshkatari kolumbian që dyshohet se u vra gjatë një prej sulmeve. “Ai mund të ketë mbajtur peshk ose kokainë, por nuk ishte dënuar me vdekje,” deklaroi Petro.

















