Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
26 nentor 2025
Udhëheqësit e Koalicionit të Vullnetit kanë shprehur mbështetje për përpjekjet e presidentit Trump për të përfunduar luftën në Ukrainë, duke theksuar se kufijtë e vendit nuk duhet të ndryshohen me forcë.
Në një deklaratë të publikuar pas takimit të mbajtur të martën, udhëheqësit nënvizuan se çdo zgjidhje e mundshme duhet të përfshijë plotësisht Ukrainën, të ruajë sovranitetin e saj, të jetë në përputhje me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të garantojë sigurinë afatgjate të vendit, raporton CNN.
Takimi u udhëhoq nga liderët e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, ndërsa në të morën pjesë virtualisht edhe zyrtarë të tjerë botërorë, përfshirë sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Koalicioni mirëpriti garancitë se çështjet që prekin interesat evropiane dhe të NATO-s do të diskutohen veçmas, me përfshirjen e plotë të partnerëve evropianë dhe aleatëve të NATO-s. Gjithashtu, u nënvizua rëndësia e vendimeve për financimin e Ukrainës, përfshirë përdorimin e aseteve të pezulluara ruse.
Udhëheqësit theksuan nevojën për “garanci të forta dhe të besueshme të sigurisë për Ukrainën” dhe u pajtuan me sekretarin Rubio për të përshpejtuar punën e përbashkët me SHBA-në në planifikimin e këtyre garancive.

















