Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
30 janar 2026
Kryeshefi i ndërmarrjes “Ekoregjioni” në Prizren, Burim Shala, është arrestuar të premten nën dyshimin se ka keqpërdorur autoritetin zyrtar në një aktivitet të prokurimit.
Ai dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare në një tender për blerjen e pesë kamionëve dhe një autofshese, me vlerë rreth 400 mijë euro.
Të hënën, në kuadër të këtij rasti, Prokuroria arrestoi edhe shefin e njësisë “Ekoregjioni” në Prizren, Arbër Gashi, si dhe R.Z., përfaqësues i kompanisë “Dielli”, e cila kishte shitur mjetet. Po atë ditë, autoritetet zhvilluan bastisje edhe në banesën e Shalës.
Përveç keqpërdorimit të pozitës zyrtare, Shala dyshohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i dyshuari B.Sh. është ndaluar për 48 orë. Sipas njoftimit zyrtar, ai dyshohet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, në përputhje me nenin 414 të Kodit Penal, si dhe për posedim të paautorizuar të armëve.
Prokuroria njoftoi se arrestimi është pjesë e hetimeve për dyshime për aktivitet të kundërligjshëm të prokurimit. Gjatë bastisjes në shtëpinë e Shalës, janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike AK-47 dhe para të gatshme.
Ndërsa, kompania deklaroi se kryeshefi ndodhej në Itali që nga e shtuna.
“Kryeshefi Ekzekutiv, z. Burim Shala, që nga dita e shtunë ndodhet në Itali, për arsye striktësisht familjare, dhe kjo vizitë nuk ka asnjë lidhje me çfarëdo pretendimi për arrati apo shmangie nga përgjegjësia. Ai prej disa ditësh ndodhet jashtë Kosovës dhe kjo është e ditur edhe më herët. Njëkohësisht, ju njoftojmë se Kryeshefi Ekzekutiv, Burim Shala brenda kësaj jave pritet të kthehet në Kosovë, dhe në asnjë rrethanë nuk i shmanget përgjegjësisë apo drejtësisë”, ka arsyetuar Kompania “Eko-Regjioni”.

















