Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
30 janar 2026
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka shprehur shqetësimin e thellë të PDK-së lidhur me ligjëratat e mbajtura nga përfaqësues të Gjykatës Speciale dhe bashkëpunëtorët e saj në institucionet arsimore të Kosovës.
Në një konferencë për media, Gruda deklaroi se materialet e prezantuara para nxënësve të mitur përmbajnë, sipas tij, pretendime të njëanshme, duke i paraqitur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si përgjegjës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai e cilësoi këtë qasje si “të papranueshme dhe skandaloze”.
Sipas deputetit, nxënësve, shumica e të cilëve janë nën moshën 18-vjeçare, po u transmetohen mesazhe që cenojnë kujtesën kolektive dhe rrezikojnë indoktrinimin e tyre. Ai shtoi se kjo situatë përbën një devijim nga misioni fillestar i Gjykatës Speciale për zbardhjen e së vërtetës.
Gruda theksoi se lufta çlirimtare e Kosovës, sipas tij, po vihet në shënjestër jo vetëm në sallat e gjyqit në Hagë, por edhe në sistemin arsimor. Ai ngriti shqetësime për shkeljen e parimit të prezumimit të pafajësisë dhe përpjekje për rishkrimin e historisë.
PDK kërkoi sqarime urgjente nga Ministria e Arsimit për përgjegjësitë institucionale lidhur me këto ligjërata dhe për mënyrën se si ato janë lejuar pa mbikëqyrje dhe standard profesional.
Në fund, Gruda njoftoi se marshi i paralajmëruar për 17 shkurt, me moton “Drejtësi, jo politikë”, është reagim ndaj fazës përfundimtare të procesit gjyqësor në Hagë. Ai riafirmoi qëndrimin e PDK-së në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së dhe të historisë çlirimtare të Kosovës.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë pjesë e historisë sonë. Ata nuk janë fajtorë për asnjë krim,” deklaroi Gruda, duke theksuar se PDK do të vazhdojë të mbështesë UÇK-në dhe, sipas tij, të vërtetën për Kosovën.

















