Kandidati i opozitës që mund ta rrëzojë Edi Ramën në Tiranë

Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta

29 shtator 2025

Kryeqyteti është beteja vendimtare; opozita duhet të nxjerrë një figurë të fortë, përbashkuese dhe anti-Rama për ta kthyer Tiranën në pikën e nisjes së ndryshimit politik…

Sali Berisha dhe udhëheqja e opozitës nuk kanë një strategji të qartë për betejën e Tiranës dhe ranë në grackën e Edi Ramës që në hapin e parë.

Kauza e opozitës për shkarkimin e Erion Veliajt, që prej disa muajsh kishte nisur si lëvizje e tyre, humbi peshën politike kur ata në praktikë votuan nismën e Edi Ramës, duke u kthyer në vegël të tij. Askush nuk do ta mbajë mend se opozita e nisi e para kërkesën për shkarkim pas arrestimit të Veliajt; në fakt, këshilli bashkiak vuri në votë dhe miratoi shkresën e hartuar nga Edi Rama.

Në vend që të sillte nismën e vet dhe të merrte iniciativën, opozita duhej të kishte vepruar ndryshe: ose të kishte votuar nismën paraprakisht, duke përplasur qeverinë, ose të kishte votuar kundër lëvizjes së Ramës, për të marrë kontrollin e agjendës politike. Tani është vonë për atë që iku, por përpara qëndron beteja e Tiranës.

Rama emëroi Ogerta Manastirliun për t’i treguar demokratëve dhe socialistëve se vendosi për një person shumë pranë tij, një figurë me mbështetjen e tij, që në të vërtetë do të vijojë të përfaqësojë influencën e kryeministrit. Përballë kësaj, opozita duhet të nxjerrë një kandidat dhe një strategji plotësisht anti-Rama.

Kandidati i opozitës duhet të jetë një figurë e fuqishme, e përgatitur, me perceptim dhe mbështetje popullore, jo një emër i dobët apo i papërgatitur. PD-ja ka pengesa: Sali Berisha nuk ka lejuar rritjen e figurave të reja; emrat ekzistues nuk kanë shpesh forcën e nevojshme pas dështimeve lokale. Gazment Bardhi nuk i plotëson kredencialet pas rezultateve të dobëta; Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti kanë refuzuar pjesëmarrjen, duke argumentuar se përgatitjen e duan për garë të gjatë, jo për një “sprint” dyvjeçar. Ky qëndrim tregon shkurtpamësi politike: suksesi nuk vjen nga koha e garës, por nga strategjia dhe vendosmëria.

PD duhet të gjejë një figurë përbashkuese për të gjithë opozitën,  një kundërshtar real të Ramës, asnjëherë model “i butë” apo ‘i pafajshëm’. Kandidati duhet të jetë luftëtar, i gatshëm t’i hyjë betejës me vendosmëri dhe aftësi taktike.

Si shembull frymëzimi, kryetari i Stambollit, Ekrem İmamoğlu, fitoi duke u prezentuar si kundërshtar i Erdoganit dhe duke u bërë flamur i opozitës pro-europiane. Kandidati i Tiranës duhet të hapë beteja në disa fronte: t’i kundërshtojë ligjërisht dhe politikisht prishjet arbitrare; të mbahet si mbrojtës i qytetarëve të prekur; të veprojë në gjykata dhe në opinion; dhe të kërkojë mbështetje ndërkombëtare kur e ka të nevojshme.

Po ashtu, kandidati duhet të kundërshtojë pushtetin e qeverisë mbi kompetencat vendore: nga ndërhyrjet për largimin e njerëzve të bashkive deri te marrja e kompetencave të shërbimeve lokale si ujësjellësat apo trajtimi i mbetjeve. Me këto grabitje kompetencash, Rama po shkel kushtetutshmërinë dhe parimet e decentralizimit.

Një tjetër front i betejës duhet të jetë skandali i ndërtimeve në Tiranë. Kandidati duhet të ekspozojë hipokrizinë e Ramës rreth kullave dhe të tregojë se përgjegjësia për lejet e ndërtimit i takon atij si kryetar i KKT. Duhet të propozojë paketë konkrete për të përcaktuar të ardhmen e kullave, teatrit dhe betonizimit, me plan konkret për rikthimin e kompetencave të lejeve te bashkia.

Për ta bërë këtë, kandidati duhet të ketë profil të përgatitur: i rregullt, i ndershëm, pa mani për madhështi, pa korrupsion; një kundërshtar i qartë i Edi Ramës, i gatshëm për luftë afatgjatë, jo vetëm për një fushatë dyvjeçare.

Nëse kriteret janë të qarta, emri mund të gjendet shpejt: beteja e Tiranës është vetëm e para në një luftë më të gjerë politike. Shembuj historikë, si Zoran Đinđić që bashkoi opozitën në Serbi, tregojnë se fillimi lokal mund të kthehet në ndryshim kombëtar. Nëse gjen kandidatin e duhur dhe e fiton Tiranën, rruga për të synuar më tej bëhet shumë më e qartë.

Shkruar nga Gjergj Zefi

Scroll to Top