Ikja nga kjo botë e Shpat Kasapit, reagon zv.kryeministri i Maqedonisë: Muzika e tij është një vlerë që nuk shuhet

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

26 nentor 2025

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, reagoi pas vdekjes së papritur të këngëtarit Shpat Kasapi, i cili ndërroi jetë në moshën 40-vjeçare.

Përmes një postimi në Facebook, Mexhiti ngushëlloi familjen e artistit dhe komunitetin muzikor, duke theksuar se Kasapi la pas një trashëgimi të çmuar artistike dhe kujtime që do të mbeten gjatë në zemrat e publikut.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi. Ikja e tij e papritur ka lënë një boshllëk të madh te familja, miqtë dhe të gjithë ata që e vlerësonin artin e tij. Shpati la pas një trashëgimi të çmuar artistike dhe kujtime që do të mbeten gjatë në zemrat e publikut. Muzika e tij është një vlerë që nuk shuhet. Në këtë ditë të rëndë, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Kasapi, të afërmve dhe gjithë komunitetit artistik. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij, dhe u prehtë në paqe”, shkruan Mexhiti.

Kujtimi dhe tingujt e muzikës së Shpat Kasapit do të vazhdojnë të rezistojnë në zemrat e publikut, duke e bërë artin e tij të pavdekshëm.

Scroll to Top