Gjigantët e Teknologjisë përballë gjyqit historik për shëndetin mendor të fëmijëve

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

29 janar 2026

Tre prej kompanive më të mëdha të teknologjisë në botë – Meta (Instagram), ByteDance (TikTok) dhe Google (YouTube) – po përballen këtë javë me një proces gjyqësor që mund të ketë pasoja të mëdha për industrinë e internetit.

Gjykatën e Lartë të Los Anxhelosit ka nisur përzgjedhja e jurisë për këtë rast, i cili konsiderohet si një betejë ligjore historike. Kompanitë akuzohen se kanë dëmtuar qëllimisht shëndetin mendor të fëmijëve për përfitime financiare. Ndërkohë, Snap Inc. (Snapchat) ka arritur javën e kaluar një marrëveshje jashtëgjyqësore për një shumë të papublikuar, duke mbyllur çështjen kundër saj.

Në qendër të padisë është një 19-vjeçare, e identifikuar me inicialet KGM, e cila pretendon se përdorimi i rrjeteve sociale që nga fëmijëria i shkaktoi varësi të rëndë, përkeqësim të depresionit dhe mendime vetëvrasëse. Avokatët e paditësve argumentojnë se dëmi nuk ndodhi rastësisht, por ishte pasojë e një dizajni të qëllimshëm të platformave, duke përdorur taktika të ngjashme me ato të industrisë së duhanit dhe lojërave të fatit për të maksimizuar angazhimin e të rinjve dhe të ardhurat nga reklamat.

Nëse paditësit arrijnë të provojnë se dëmi lidhet me dizajnin e produktit – si njoftimet e vazhdueshme ose “scroll”-i i pafundëm – mund të anashkalojnë mbrojtjen që ofron Seksioni 230, ligji që zakonisht mbron platformat nga përgjegjësia për përmbajtjen e përdoruesve.

Gjyqi pritet të zgjasë 6-8 javë dhe do të përfshijë dëshmitarë të profilit të lartë, përfshirë CEO-n e Meta-s, Mark Zuckerberg. Ekspertët e krahasojnë këtë rast me gjyqet e vitit 1998 kundër kompanive të duhanit, të cilat rezultuan në dëmshpërblime miliarda dollarëshe.

Ndërkohë, kompanitë e përfshira mohojnë akuzat. Meta thekson se problemet e adoleshentëve nuk mund të shpjegohen vetëm me rrjetet sociale, duke përmendur faktorë të tjerë si presioni akademik apo abuzimi me substancat. Google (YouTube) gjithashtu deklaron se akuzat nuk janë të vërteta dhe thekson rëndësinë e sigurisë së përdoruesve të rinj.

Ky gjyq mund të shënojë fillimin e një serie përballjesh ligjore në SHBA, ku përfshihen edhe paditë nga distrikte shkollore dhe mbi 40 prokurorë të përgjithshëm shtetërorë.

Scroll to Top