Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
21 nentor 2025
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç po përballet me një nga dilemat më të vështira të viteve të fundit, ndërsa Serbia duhet të marrë një vendim kritik mbi të ardhmen e kompanisë NIS deri më 25 nëntor. Prej vitesh, Beogradi ka tentuar të ruajë një balancë mes kursit drejt Bashkimit Europian dhe lidhjeve të thella historike me Rusinë, por kriza aktuale energjetike e ka vënë këtë ekuilibër në rrezik.
Industria e Naftës së Serbisë, NIS, është nën kontrollin e Gazpromneft që prej vitit 2008, gjë që e ka bërë automatikisht subjekt të sanksioneve të SHBA-së, të vendosura me arsyetimin se Rusia duhet të pengohet të përdorë të ardhurat nga energjia për agresionin në Ukrainë. Sanksionet janë shtyrë tetë herë gjatë këtij viti, por më 9 tetor hynë në fuqi plotësisht, duke shkaktuar pasoja të menjëhershme për sektorin energjetik serb.
Pas zbatimit të tyre, furnizimet me naftë përmes tubacionit kroat Janaf pothuajse u ndërprenë, duke lënë rafineritë serbe me rezerva vetëm deri në fund të nëntorit, sipas zyrtarëve të Beogradit. Situata është kritike, pasi NIS siguron mbi katër të pestat e karburanteve në vend dhe mbyllja e rafinerisë do të sillte goditje të rëndë për ekonominë serbe.
Ekspertët paralajmërojnë se pasojat mund të shkojnë përtej mungesës së karburantit. NIS, që punëson rreth 14 mijë persona dhe kontribuon me afro dy miliardë euro në buxhet, është gjithashtu në listën e sanksioneve dytësore. Kjo nënkupton se çdo kompani apo bankë që bashkëpunon me të rrezikon të përfshihet në të njëjtën listë, duke kërcënuar zinxhirin financiar dhe industrinë energjetike të të gjithë vendit.
Beogradi zyrtar tani ndodhet para një vendimi që pritet të ndikojë jo vetëm marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, por edhe stabilitetin ekonomik dhe politik të Serbisë në muajt në vijim.

















