Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
02 prill 2026
Shqipëria renditet në vendin e 83-të në botë për të ardhurat për frymë të shprehura në dollarë dhe në vendin e 85-të për të ardhurat për frymë sipas standardit të fuqisë blerëse (PPP) për vitin 2025. Të dhënat janë publikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), duke e pozicionuar vendin ndër më të fundit në Europë për të dy treguesit.
Sipas FMN-së, të ardhurat për frymë të Shqipërisë në raport me madhësinë e ekonomisë kanë arritur në rreth 11 mijë dollarë në vitin 2025. Me këtë nivel, Shqipëria ka kaluar Maqedoninë e Veriut (10,377 USD) dhe Bosnjë-Hercegovinën (9,467 USD), vende që në vitet e kaluara renditeshin mbi Shqipërinë. Ndërkohë, Kosova mbetet shteti me të ardhurat më të ulëta në Europë, me 8,033 dollarë për frymë.
Rritja e të ardhurave për frymë në Shqipëri është ndikuar pjesërisht edhe nga nënçmimi i euros dhe dollarit, faktor që ka rritur automatikisht vlerën e këtij treguesi. Në rajon, vendin e parë e mban Serbia me 15.3 mijë dollarë për frymë, duke lënë pas Malin e Zi me 14.9 mijë dollarë, i cili për vite me radhë kishte kryesuar renditjen.
Megjithatë, të ardhurat për frymë të Shqipërisë përbëjnë vetëm 28% të mesatares europiane dhe 23.7% të mesatares së Bashkimit Europian, e cila është 46,804 dollarë. Shqipëria mbetet gjithashtu nën mesataren globale prej 14.6 mijë dollarësh për frymë, duke arritur vetëm 76% të saj.
Në treguesin e PBB-së për frymë sipas barazisë së fuqisë blerëse (PPP), Shqipëria renditet pas Maqedonisë së Veriut, duke reflektuar faktin se kostoja e jetesës në Shqipëri është më e lartë, ndërsa fuqia reale blerëse më e ulët. Shqipëria pozicionohet në vendin e 85-të, me rreth 23.3 mijë dollarë ndërkombëtarë. Maqedonia e Veriut renditet e 77-ta, Bosnjë-Hercegovina e 89-ta, ndërsa Kosova e 98-ta.
Treguesi i PBB-së për frymë sipas PPP-së mat prodhimin ekonomik mesatar për banor, duke marrë parasysh edhe diferencat e çmimeve mes vendeve. Ndryshe nga PBB-ja e llogaritur vetëm me kurs këmbimi, ky tregues korrigjon për koston e jetesës dhe pasqyron më saktë standardin real të jetesës dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.

















