Endri Shabani i del krah Lapajt; Avokati i Popullit nis hetim për ndërhyrjen e policisë në protestën e “Shqipëria Bëhet”

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

06 janar 2026

Avokati i Popullit, Endri Shabani, ka urdhëruar nisjen e një hetimi kryesisht lidhur me ndërhyrjen e Policisë së Shtetit gjatë protestës së zhvilluar më 4 janar 2025 nga Partia “Shqipëria Bëhet” përpara Kryeministrisë, ku mbeti i lënduar kryetari i saj, Adriatik Lapaj.

Hetimi vjen pak kohë pasi Shabani mori detyrën e re, në një kontekst politik të ndjeshëm, pasi ai dhe Lapaj ishin pjesë e së njëjtës aleancë zgjedhore në zgjedhjet e 11 majit, e cila u shpërbë pas mosmarrëveshjeve për ndarjen e mandateve.

Sipas Avokatit të Popullit, një grup ekspertësh të institucionit ka inspektuar ambientet e privimit të lirisë në Komisariatin e Policisë nr.1 dhe në Bllokun e Sigurisë, si dhe ka verifikuar gjendjen shëndetësore të protestuesve të shtruar në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë, përfshirë edhe Lapajn.

Komisioneri i Avokatit të Popullit, Besnik Deda, bëri me dije se nga hetimi paraprak rezulton se Policia e Shtetit nuk kishte marrë masat e nevojshme për vendosjen e ambulancave në vendngjarje. Sipas tij, ambulancat kanë mbërritur me vonesë të theksuar, rreth 40 minuta ose më shumë, çka ka ndikuar negativisht në gjendjen shëndetësore të të lënduarve.

Nga deklarimet e marra, rezulton se si protestuesit ashtu edhe një punonjës policie kanë pësuar lëndime gjatë përplasjes, ndërsa të dy palët kanë konfirmuar vonesën e shërbimit mjekësor. Punonjësi i policisë ka deklaruar se ka pësuar dëmtime serioze në kavilje dhe ka humbur ndjenjat gjatë pritjes për ndihmë.

Hetimi paraprak nuk ka evidentuar mbipopullim në ambientet e shoqërimit, por ka konstatuar shkelje të procedurave dhe rregullave kombëtare dhe ndërkombëtare për menaxhimin e protestave. Sipas Avokatit të Popullit, Policia e Shtetit nuk ka përdorur mjete komunikimi masiv, si megafonë, për të kërkuar vetëpërmbajtje apo shpërndarje të protestuesve, por ka ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme.

Hetimet pritet të vijojnë, ndërsa në përfundim Avokati i Popullit do të publikojë konkluzionet dhe rekomandimet përkatëse.

Scroll to Top