Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
27 janar 2026
Sergio Ramos është pranë një rikthimi të madh te Sevilla, por këtë herë jo si futbollist, por si pronar. Sipas mediave spanjolle, ish-mbrojtësi i Real Madridit ka arritur një marrëveshje paraprake me grupin e investitorëve, ku ai është pjesë, për blerjen e klubit andaluz.
Në këtë projekt do të jetë i përfshirë edhe partneri i tij, Martin Ink, një nga figurat kryesore të grupit Five Eleven Capital.
Tani pritet një fazë e detajuar e verifikimit të financave të klubit para finalizimit të marrëveshjes. Ramos dhe investitorët kanë marrë ekskluzivitetin për të vijuar negociatat dhe për të finalizuar blerjen.
Shuma e përfolur për këtë transaksion është rreth 450 milionë euro, ndërsa Ramos rikthehet në klubin ku ka luajtur në dy etapa të karrierës: 2003–2005 dhe më pas në sezonin 2023/24, pas eksperiencës në PSG.
Ky lajm vjen pas një takimi dyorësh mes Ramosit, Pérez Solano-s dhe aksionarëve të Sevilla-s, ku u diskutuan ofertat dhe projekti për të ardhmen e klubit. Kjo lëvizje shënon transformimin e Ramosit nga legjendë e fushës në një rol të ri si pronar dhe strateg i futbollit europian.

















