Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
11 dhjetor 2025
Dhoma Amerikane e Tregtisë kundër “Paqes Fiskale”: Skema rrezikon konkurrencën dhe integritetin e sistemit tatimor
Pak orë para miratimit në Parlament të projektligjit për “Paqen Fiskale”, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) ka dalë kundër kësaj nisme, duke theksuar se ajo mund të cënojë konkurrencën e ndershme dhe të dëmtojë besueshmërinë e sistemit fiskal.
Sipas AmCham, projektligji krijon një hendek të madh midis normave tatimore standarde (15% për të ardhurat e korporatave dhe 23% për disa kategori biznesesh) dhe normës së reduktuar prej 5% që aplikohet për fitimet mbi 18% ose për rideklarimin e pasqyrave financiare. Kjo, sipas organizatës, favorizon bizneset që kanë shmangur më parë detyrimet tatimore, duke dëmtuar tatimpaguesit që veprojnë në mënyrë korrekte.
Dhoma Amerikane vë në dukje gjithashtu rrezikun për legalizimin e kapitalit me origjinë të paqartë, për shkak të mungesës së mekanizmave të fortë të kontrollit dhe auditimit, si dhe uljen e cilësisë së administrimit tatimor për shkak të verifikimeve të kufizuara. Projektligji mund të çojë gjithashtu në rënie të të ardhurave buxhetore, krijim të pabarazive në treg dhe dëm të reputacionit ndërkombëtar të Shqipërisë.
AmCham kërkon rishikimin e plotë të projektligjit, duke propozuar politika fiskale që nxisin formalizimin dhe përputhshmërinë me ligjin, garantojnë konkurrencë të drejtë dhe forcojnë integritetin e administratës tatimore.

















