Bisedimet për armëpushim në Gaza rifillojnë, Izraeli kap një tjetër flotë ndihmash

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

08 tetor 2025

Izraeli dhe Hamasi kanë filluar bisedime e para në Egjipt mbi propozimin e dhënë nga SHBA-ja, për vendosjen e një armëpushimi mes dy vendeve. Lufta gati dyvjeçare në Gaza duket se po i afrohet fundit, pavarësisht përçarjeve të thella midis dy palëve. Negociatat do të përqendrohen në lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi, në këmbim të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite, si dhe në tërheqjen e pjesshme të trupave izraelite nga Gaza.

Të tre çështjet përbëjnë fazën e parë të një plani prej 20 pikash të paraqitur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, që synon t’i japë fund luftës. The Guardian shkruan se pranimi i Hamasit për të liruar pengjet dhe për të hequr dorë nga pushteti në Rripin e Gazës, ka nxitur një vrull të ri pas bisedimeve të paqes. Presidenti Trump i ka përshkruar bisedimet si shumë të suksesshme dhe se po ecin me shpejtësi. Ai deklaroi se Hamasi do të binte dakord për çështje shumë të rëndësishme.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se priste që bisedimet të zgjasnin vetëm disa ditë dhe se shpresonte që të mund të njoftonte lirimin e të gjithë pengjeve izraelite në ditët në vijim. Pavarësisht optimizmit, mbeten boshllëqe të mëdha midis Hamasit dhe Izraelit. Plani i Trump është i gjerë në fushëveprim, por i pakët në detaje, dhe pikat kryesore të planit ende duhet të diskutohen.

Tema e parë e diskutimit është mekanizmi i lirimit të pengjeve, i cili sipas kushteve të planit të Trump, duhet të ndodhë brenda 72 orëve nga një armëpushim. Negociatorët duhet të bien dakord se cilët të burgosur palestinezë do të lirohen nga burgjet izraelite. Delegacioni palestinez ka të ngjarë të kërkojë figura politike, siç është udhëheqësi palestinez Marëan Barghouthi, i cili është shumë popullor në Bregun Perëndimor dhe Gaza. SHBA-të i kanë kërkuar Izraelit të ndalojë bombardimin e Gazës.

Pavarësisht kësaj, Izraeli ka vazhduar të sulmojë dhe të qëllojë mbi palestinezët në Rripin e Gazës, duke vrarë të paktën 19 persona, përfshirë dy kërkues ndihmash, në 24 orët e fundit, sipas ministrisë së shëndetësisë të Gazës. Bisedimet janë përshëndetur nga zyrtarët palestinezë, izraelitë, perëndimorë dhe arabë, të cilët u kanë kërkuar të dyja palëve të arrijnë një armëpushim të qëndrueshëm në prag të përvjetorit të dytë të luftës. Presidenti i Egjiptit, Abdel Fatah al-Sisi, tha se plani i Trum mund të çojë në një paqe të qëndrueshme.
 
“Një armëpushim, kthimi i pengjeve dhe të ndaluarve, rindërtimi i Gazës dhe fillimi i një procesi politik paqësor që çon në krijimin dhe njohjen e një shteti palestinez do të thotë se jemi në rrugën e duhur drejt paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit të fortë”, tha Abdel Fatah al-Sisi.

Scroll to Top