BDI kërkon tërheqjen e librit të Gjeografisë në RMV: Kosova nuk është `Metohi`

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

09 dhjetor 2025

Bashkimi Demokratik për Integrim ka shprehur shqetësim të thellë për librin e Gjeografisë për klasën e VII-të, botuar nga shtëpia botuese “Trimaks” dhe miratuar nga Komisioni Kombëtar për tekste shkollore më 5 gusht 2025, duke vlerësuar se ai përmban pasaktësi dhe qasje tendencioze ndaj historisë dhe politikës së Kosovës.

Sipas BDI, libri prezanton Kosovën si “gjendet në jugperëndim të Serbisë”, përdor termin “Metohi” për Rrafshin e Dukagjinit dhe e përmend Mitrovicën me terminologji serbe, duke krijuar një devijim të rëndë identitar dhe shkencor që mund të ndikojë negativisht në edukimin e nxënësve.

Partia thekson se përgjegjësia bie mbi Ministrinë e Arsimit dhe Komisionin për tekste shkollore, duke akuzuar institucionet për tolerim ndaj shtrembërimeve historike dhe identitare. BDI kërkon tërheqjen urgjente të librit, rishikimin dhe korrigjimin e përmbajtjes sipas standardeve shkencore dhe të politikës shtetërore, si dhe përcaktimin e përgjegjësisë institucionale dhe politike.

Partia nënvizon se mbrojtja e identitetit historik dhe kombëtar është detyrë e çdo qeverie dhe premton të ndjekë këtë çështje deri në korrigjimin dhe sqarimin institucional të librit, për të siguruar që gjeneratat e reja të mos ekspozohen ndaj interpretimeve të gabuara për historinë dhe realitetin politik të Kosovës.

Scroll to Top