Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
09 dhjetor 2025
Inflacioni në Shqipëri në muajin nëntor arriti në 2,1%, duke shënuar një rritje të lehtë nga niveli 2% i regjistruar në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të INSTAT, rritja e çmimeve të ushqimeve dhe qirave ishte faktor kryesor që ndikoi në këtë trend.
Grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kontribuoi me 0,81 pikë përqindje në inflacion, ndërsa “Ushqime dhe pije joalkoolike” shtoi 0,51 pikë përqindje. Rritje çmimesh janë regjistruar gjithashtu në kategoritë “Mobilie dhe pajisje shtëpie”, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Hotele dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme”.
Krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar, shpenzimet për banesë shënuan rritjen më të lartë me +4%, ndjekur nga pijet alkoolike dhe duhani +2,9%, mobiliet +2,8% dhe shërbimet kulturore dhe argëtimi +2,6%. Çmimet e ushqimeve u rritën mesatarisht me 1,5%, kryesisht për shkak të shtrenjtimit të qumështit, djathit dhe vezëve (+4,9%), vajrave dhe yndyrnave (+4,6%) dhe peshkut (+3,3%).
Në krahasim me tetorin 2025, disa kategori regjistruan ulje të lehta, si “Argëtim dhe kulturë” –0,8%, “Veshje dhe këpucë” –0,5% dhe ushqimet –0,4%. Ndërkohë, “Komunikimi” dhe “Mobilie e pajisje shtëpie” shënuan rritje të vogla prej +0,1%.

















