Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
15 dhjetor 2025
Mediat lokale australiane kanë identifikuar dy personat e armatosur të përfshirë në të shtënat e djeshme.
Bëhet fjalë për 50-vjeçarin Sajid Akram, i cili humbi jetën në vendngjarje, si dhe për djalin e tij 24-vjeçar, Naveed Akram, i cili ndodhet në spital në gjendje kritike.
Sipas informacioneve zyrtare, Sajid Akram kishte mbërritur në Australi në vitin 1998 me vizë studentore, e cila më vonë ishte shndërruar në vizë partneri dhe më pas në vizë rezidenti. Ai posedonte leje ligjore për armë zjarri, të cilat i përdorte për gjueti rekreative, dhe ishte anëtar i një klubi armësh.
Ndërkohë, Naveed Akram ishte vënë në vëmendjen e autoriteteve për herë të parë në tetor të vitit 2019. Kryeministri australian, Anthony Albanese, ka deklaruar se në atë kohë ishte kryer një vlerësim, sipas të cilit nuk kishte indikacione për ndonjë kërcënim të vazhdueshëm apo për përfshirje në akte dhune.
Megjithatë, transmetuesi publik australian ABC raporton se Naveed Akram, shtetas i lindur në Australi, ishte marrë në pyetje për lidhje të mundshme me një qelizë terroriste të Shtetit Islamik (IS) me bazë në Sydney. Po sipas ABC-së, autoritetet kundër terrorizmit dyshojnë se të dy personat e armatosur i kishin shprehur besnikëri grupit terrorist ISIS.
Policia beson se sulmi ishte planifikuar në një pronë me qira afatshkurtër, rreth 30 minuta larg plazhit Bondi. Një ndërtesë njëkatëshe në zonën Campsie është kthyer në një nga pikat kryesore të hetimit.
Po ashtu, mbrëmjen e kaluar autoritetet bastisën banesën e familjes së të dyshuarve, e cila ndodhet rreth një orë larg me makinë nga vendngjarja. Një ish-fqinj i tyre i ka thënë BBC-së se, sapo mësoi për të shtënat, reagimi i tij ishte: “Mendova, o Zot i madh, nuk mund të jenë ata.”
Burimi deh me shume rreth ngjarjeve rreth kesaj teme: https://www.bbc.com/news/live/ckgk391yzm7t

















