Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
25 tetor 2025
Ditën e sotme disa media raportuan se zv.Kryeministrja, njëkohësisht Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, është thirrur për tu paraqitur në SPAK ditën e hënë, si person nën hetim. Megjithatë, Prokuroria e Posaçme nuk e ka konfirmuar dhe as përgënjeshtruar lajmin, duke mos bërë asnjë reagim zyrtar, ndërkohë që pyetjeve të gazetarëve u është përgjigjur duke thënë se nuk ka asnjë informacion për të ndarë me mediat.
Vetë Balluku, është shfaqur në rrjetet sociale me një video nga Zvicra, ku thotë se do të takohet me ministrin federal për Transportin, Energjinë dhe Mjedisin dhe se do të ketë një bashkëpunim për hekurudhat.
Zv.Kryeministrja nuk ka komentuar lajmet e ditës e sotme. Mbetet e paqartë nëse ajo është thirrur vërtetë në SPAK apo kemi të bëjmë me fake news.
“Shumë mirë do ishte që të bënim rrugëtimin me tren nga Zvicra në Shqipëri dhe do ta bëjmë në të ardhmen përmes korridoreve hekurudhore europiane ku Shqipëria do të bëhet pjesë, ashtu siç po bëhet dhe me autostradat, por sot jemi në një udhëtim me skuadrën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe atë të Hekurudhës Shqiptare për të bërë një takim bilateral me Ministrin Federal për Transportin, Energjinë dhe Mjedisin, këtu në Zvicër.
Po bëjmë një udhëtim nga Zyrihu në Bern duke provuar kështu edhe efikasitetin, efiçencën që hekurudha ka dhe duke bërë plane për një bashkëpunim të ngushtë edhe me hekurudhën zvicerane në të ardhmen përsa i përket zhvillimit të transportit hekurudhor, duke nisur me projektin e parë, atë nga Tirana në Durrës”, deklaron Balluku.
















