30 vjet Srebrenicë: turpi i Evropës

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

11 korrik 2025

Më 11 korrik të vitit 1995 trupat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.000 boshnjakë. Ishte gjenocid dhe krimi më i rëndë në Evropë që nga viti 1945. Bota i pa ngjarjet por ato nuk janë zbardhur si duhet.

Më 11 korrik 2025 shënohet 30-vjetori i gjenocidit të Srebrenicës, ku mbi 8,000 burra dhe djem boshnjakë u vranë nga forcat serbe të Bosnjës nën komandën e Ratko Mladiqit. Ngjarjet e korrikut 1995 u zhvilluan në një zonë të shpallur si e mbrojtur nga OKB-ja, duke shënuar dështimin më të madh të bashkësisë ndërkombëtare pas Holokaustit.

Në përvjetorin e këtij krimi të rëndë, dhjetëra-mijëra qytetarë pritet të mblidhen në Qendrën Memoriale të Potoçarit për të nderuar viktimat. Deri më sot, janë identifikuar emrat e mbi 8,372 të vrarëve, ndërsa mbetjet e rreth 7,000 prej tyre janë varrosur aty.

Edhe pse gjenocidi është konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë dhe OKB-ja, mohimi i tij mbetet i fortë në Serbi dhe Republikën Srpska. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe udhëheqësit lokalë serbë e relativizojnë krimin, ndërsa figura e Ratko Mladiqit ende glorifikohet nga shumë nacionalistë.

Në vitin 2024, OKB shpalli 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës. Megjithatë, kjo nuk ka ndaluar përpjekjet për të mohuar apo zbehur rëndësinë e tij. Ligji kundër mohimit të gjenocidit në Bosnjë u miratua në 2021, por vetëm në vitin 2025 u dha dënimi i parë për shkeljen e tij.

Kujtesa për Srebrenicën mungon në kulturën e gjerë evropiane të përkujtimit. Shumë të mbijetuar jetojnë në varfëri dhe nuk kanë status ligjor të njohur si viktima. Vetëm Holanda ka kërkuar zyrtarisht falje për rolin e saj në dështimin për të mbrojtur civilët.

Srebrenica, edhe pas tri dekadash, mbetet një plagë e hapur në historinë evropiane dhe një test për sinqeritetin e përkushtimit ndaj së vërtetës, drejtësisë dhe kujtesës.

Scroll to Top