Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
23 etor 2025
Nëna e shqiptares që u qëllua për vdekje nga bashkëshorti i saj në Brampton të Kanadasë, tha për Global News se është e shokuar nga ngjarja.
Sipas policisë bashkëshorti i saj, i cili ishte gjithashtu në kërkim për rrëmbim fëmijësh të martën, u qëllua dhe u vra nga një oficer ditën e mërkurë.
Karen Kulla, mamaja e Savannah Kullës, tha se vajza e saj shkoi të takonte bashkëshortin e saj, 38-vjeçarin Anthony Deschepper pasi pranoi t’i lejonte atij të kalonte disa orë me vajzën e tyre 17-muajshe. Savannah ishte nënë e 4 fëmijëve.
Gjatë takimit të tyre, Karen tha se Savannah u qëllua dhe u vra në vend nga bashkëshorti i saj.
“Thjesht nuk mund ta besoj që ajo nuk është më. Ajo ishte kaq, kaq e bukur. Ajo i qëndronte besnike gjërave, ishte e zgjuar dhe ne e donim shumë”, u shpreh nëna e viktimës.
Të martën, rreth orës 14:00, Policia Rajonale e Peel iu përgjigj raportimeve për të shtëna me armë zjarri në parkingun e një qendre tregtare në Brampton. Gruaja u shpall e vdekur nga policia në vendngjarje.
Karen tha se vajza e saj dhe Deschepper ishin më parë në një lidhje, por ishin ndarë disa muaj më parë.
“Ajo më tha rreth një muaj më parë, se nëse do qëndronte me të, ai do ta vriste”, thotë mamaja e shqiptares.
Karen tha se i sugjeroi vajzës së saj të merrte një urdhër mbrojtjeje. “Ajo më tha ‘nuk do të më bëjë asgjë, mami. Ai thjesht nuk do të më lërë rehat”, shprehet nëna e viktimës.

















