Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
23 dhjetor 2025
Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës ka rrëzuar kërkesën e ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, për lirim të përkohshëm. Njoftimi është bërë publik nga Gjykata Speciale përmes një komunikate për media.
Sipas komunikatës, më 19 dhjetor 2025, Paneli i Gjykatës Supreme, i përbërë nga gjyqtarët Ekaterina Trendafilova (kryesuese), Christine van den Wyngaert dhe Daniel Fransen, ka rrëzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, e cila ishte paraqitur në mënyrë konfidenciale në nëntor 2025.
Kërkesa lidhej me vendimin e Panelit të Gjykatës së Apelit, të datës 13 gusht 2025, që kishte konfirmuar vendimin e Trupit Gjykues për rrëzimin e kërkesës së Veselit për lirim të përkohshëm.
Gjykimi ndaj katër ish-eprorëve të UÇK-së nisi në vitin 2023, tri vjet pas arrestimit dhe dërgimit të tyre në mbajtje në Holandë. Aktakuza përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.
Deklaratat përmbyllëse janë planifikuar të zhvillohen nga 9 deri 13 shkurt 2026, siç u bë e ditur javën e kaluar.

















