Sot mbahen seancat inauguruese në katër komunat veriore të Kosovës, kërkohet respektimi i Kushtetutës

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

05 dhjetor 2025

Sot, duke nisur nga ora 11:00, në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok do të zhvillohen seancat inauguruese që shënojnë fillimin e mandatit të kryetarëve të rinj të këtyre komunave.

Kryetarët aktualë – Izmir Zeqiri në Zubin Potok, Erden Atiq në Mitrovicë të Veriut, Lulzim Hetemi në Leposaviq dhe Ilir Peci në Zveçan – do t’ua dorëzojnë zyrtarisht detyrën kryetarëve të rinj të zgjedhur nga Lista Serbe.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka konfirmuar se të gjitha ceremonitë inauguruese do të zhvillohen në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe legjislacionin e Republikës së Kosovës. Proceset ligjore dhe administrative të dorëzimit të pushtetit në komunat veriore, sipas ministrisë, janë identike me ato të komunave të tjera në vend, pasi të gjitha institucionet lokale duhet t’u përmbahen të njëjtave rregulla të vetëqeverisjes.

Ministri në detyrë i MAPL-së, Elbert Krasniqi, ka deklaruar se ceremonitë pritet të zhvillohen sipas standardeve të përcaktuara me ligj, përfshirë përdorimin e saktë të elementeve dhe simboleve shtetërore të Republikës së Kosovës.

Krasniqi ka theksuar se në të gjitha komunat veriore inaugurimi do të mbahet pa asnjë përjashtim në përputhje me legjislacionin, duke respektuar simbolet shtetërore dhe dy-gjuhësinë zyrtare. Ai paralajmëroi se çdo devijim nga procedurat ligjore do të çojë në shpalljen e seancave si të paligjshme dhe jolegjitime nga MAPL.

Po ashtu, ai njoftoi se ministria ka angazhuar ekipe monitorimi, të cilat do të jenë fizikisht të pranishme në të gjitha mbledhjet, me qëllim të garantimit të respektimit të rregullave kushtetuese dhe ligjore gjatë procesit të inaugurimit.

Scroll to Top