Siria shteti i 120-të që njeh Kosovën – reagojnë udhëheqësit e Kosovës e Shqipërisë

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

30 tetor 2025

Siria është bërë shteti i 120-të që e ka njohur Kosovën si shtet.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se të mërkurën në Riad është arritur marrëveshja nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë e ka njohur Republikën e Kosovës.

“Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot në Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës, si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo ka shtuar se populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Sipas saj, kjo njohje e ndërsjellë nuk është vetëm njohje e sovranitetit shtetëror, por edhe e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë.

Osmani theksoi se tani Kosova njihet nga 120 shtete. “Republika jonë po ecë përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë!”, ka shkruar ajo.

Njohja është konfirmuar edhe nga Ministria e Jashtme e Sirisë.

“Në këtë kontekst, Republika Arabe e Sirisë njofton njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, duke u bazuar në parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe vendimin e saj për të forcuar parimet e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në botë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të postuar në rrjetin social X. 

Tutje, Ministri i Jashtëm i Sirisë, Asaad Hassan Al-Shaibani, ka shkruar në “X” për njohjen e Kosovës nga Siria.

Kryediplomati sirian tha se njohja u bë nën patronazhin e Arabisë Saudite dhe me mbështetjen e Turqisë.

“Nën patronazhin e Arabisë Saudite dhe me mbështetjen e Turqisë, Republika Arabe Siriane njoftoi njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur, duke riafirmuar respektin për sovranitetin dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje”, ka thënë ai.

Këtë vit, Kosova është njohur edhe nga dy shtete të tjera. Shteti i Sudanit ka qenë vendi i 119-të që e ka njohur Kosovën, ndërsa njohja u konfirmua në prill gjatë takimit të ministrit të Jashtëm të këtij shteti me presidenten Osmani.

Vendimi ishte bërë publik në kohën kur Serbia, që vazhdimisht bën fushatë kundër njohjeve të Kosovës, kishte paralajmëruar aktivitete për të shënuar “jubileun historik” të raporteve Serbi–Sudan.

Kenian gjithashtu njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës në fillim të këtij viti, dhe me njohjen nga Siria tashmë janë bërë tri njohje brenda vitit 2025.

Para këtyre dy shteteve afrikane dhe Sirisë, Kosovën që nga viti 2021 nuk e kishte njohur asnjë shtet tjetër. Në atë vit, shtetësinë e Kosovës e njohu Izraeli, me ndërmjetësimin e SHBA-së, në kuadër të asaj që njihet si Marrëveshja e Uashingtonit

Scroll to Top