konference e policise

Shtohen shërbimet mjekësore për policët

Mbi 3 mijë pjesëtarë të Policisë së Kosovës (PK) iu kanë nënshtruar kontrolleve mjekësore sistematike. Ndërkaq, janë kryer mbi 2 mijë e 100 kontrolle mjekësore psikologjike për rekrutët e rinj të Policisë së Kosovës. Këto shërbime janë kryer në kuadër të Marrëveshjes së bashkëpunimit mes PK-së dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) për shërbime mjekësore dhe psikologjike të personelit policor dhe rekrutëve.

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

Në një konferencë të përbashkët për media mes Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës u theksua se ofrimi i shërbimeve mjekësore specialistike në kuadër të kësaj marrëveshjeje ka ndikuar në ruajtjen e mirëqenies shëndetësore për të gjithë të punësuarit e PK-së.

Drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës,  Osman Hajdari tha se janë të gatshëm të ofrojnë këto shërbime edhe në vitet vijuese si dhe për të rritur nivelin e shërbimeve.

Ndërkaq, drejtoresha e Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në Policinë e Kosovës, Lendita Kajtazi vlerësoi se kjo marrëveshje mes PK-së dhe SHKUK-së ka rezultuar e suksesshme.

Kajatazi potencoi se përveç kontrollimit mjekësor sistematik, janë realizuar edhe testime mjekësore periodike për të gjithë pjesëtarët e Njësive të Specializuara të Policisë së Kosovës.

Ndër të tjera, ajo tregoi edhe numrin e pjesëtarëve që kanë marrë këto shërbime.

Ndërkaq, në kuadër të pyetjeve nga gazetarët, drejtori i QKUK-së, Osman Hajdari tha se janë me prioritet të gjitha kategoritë e sistemit të sigurisë, duke shtuar se në këtë rast anashkalohen edhe listat e pritjes.

Marrëveshja e bashkëpunimit mes PK-së dhe SHSKUK-së për shërbime mjekësore dhe psikologjike të personelit policor dhe rekrutëve është nënshkruar në nëntor të vitit 2023.

Scroll to Top