ShBA kritika VV-së për moscertifikimin e Listës Serbe: Veprime të tilla minojnë rinisjen e dialogut strategjik

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

03 dhjetor 2025

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka reaguar pas përpjekjeve të Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe në zgjedhjet e ardhshme. Në një deklaratë, ambasada i cilësoi veprimet si të ngushta në vizion dhe përçarëse, duke theksuar se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike.

“Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë se veprimet që cenojnë procesin zgjedhor ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin e vendit dhe në interesat amerikane, përfshirë rifillimin e dialogut strategjik për të avancuar mundësitë për bizneset amerikane dhe kosovare,” thuhet në reagim.

Të martën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi sërish Listën Serbe. Nga votimi rezultuan: dy për, dy kundër dhe shtatë abstenime. Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, dhe një anëtare serbe votuan për certifikimin, ndërsa dy anëtarët nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, votuan kundër. Partitë e tjera abstenuan.

Ky zhvillim pritet të ndikojë në procesin zgjedhor dhe tensionet politike në vend, ndërsa SHBA-ja nxit respektimin e procedurave demokratike dhe të drejtave të qytetarëve.

Scroll to Top