“Serbia tentoi ta paraqes rastin si inskenim të Kosovës”, Musliu: Aktakuza për sulmin në Ibër Lepenc zbardhi të vërtetën

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

10 dhjetor 2025

Eksperti i sigurisë nga Kosova, Agim Musliu, ka reaguar pas publikimit të aktakuzës lidhur me sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc, duke theksuar se dokumenti zyrtar tregon përpjekjet e Serbisë për ta paraqitur incidentin si të “inskenuar nga Kosova”.

Sipas Musliut, ndërkohë që institucionet e Kosovës po punonin për zbardhjen e plotë të sulmit, Serbia kishte investuar shumë energji dhe burime për të shtrembëruar narrativën dhe për të akuzuar Kosovën si organizatore të incidentit. Ai thekson se aktakuza tregon qartë se sulmi ishte kryer nga persona serbë të rekrutuar nga Shërbimet Sekrete të Serbisë, të pajisur me armatim dhe eksploziv ushtarak. Grupi kishte kryer gjithashtu vëzhgime të lëvizjeve të ushtarëve amerikanë të KFOR-it dhe kishte fotografuar bazën e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës.

Musliu shprehet se Jovan Viçentijeviq, toger i Shërbimit Sekret Ushtarak serb dhe i trajnuar në Serbi, përveç dyshimeve për përfshirje në sulmin terrorist, po hetohet edhe për spiunazh. Ai ka propaganduar krijimin e një organizate të rreme për “çlirimin e trojeve shqiptare”, me qëllim njollosjen e UÇK-së dhe krijimin e konfuzionit ndërkombëtar.

Eksperti i sigurisë thekson se Kosova ka bërë pjesën e vet në zbardhjen e rastit dhe u bën thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të interpretojnë dokumentet zyrtare me kujdes, duke mos u bërë pre e propagandës serbe. Ai paralajmëron se Serbia ka investuar në mënyrë intensive për të fajësuar Kosovën, duke synuar të ndikojë në opinionin ndërkombëtar dhe të krijojë tensione të reja në rajon.

Scroll to Top