Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
23 janar 2026
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka reaguar lidhur me ligjëratën e mbajtur në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë nga përfaqësues të Gjykatës Speciale dhe YIHR.
SBASHK përmes një postimi në Facebook, ka shprehur shqetësimin e thellë dhe kundërshtimin e fuqishëm ndaj ligjëratës së mbajtur në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, e cila u realizua nga përfaqësues të Gjykatës Speciale, në bashkëpunim me organizatën Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR).
Në reagimin e lëshuar, Sindikata thekson se, për më shumë se pesë vite, janë mbajtur në paraburgim luftëtarët e lirisë dhe bashkëpunëtorët e NATO-s, të cilët luftuan për të drejtat elementare të popullit të Kosovës. SBASHK po ashtu kujton periudhën e represionit serb, kur Serbia mbylli të gjitha shkollat shqipe në Kosovë, përfshirë edhe Gjimnazin “Xhevdet Doda”. Sindikata vlerëson se, në këtë kontekst, është e padrejtë dhe moralisht e papranueshme që në ambientet e këtij institucioni shkollor të promovohen aktivitete që, sipas saj, barazojnë viktimën me agresorin.
Shqetësimin, SBASHK e ka lidhur poashtu me përfshirjen e organizatës Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), e cila, sipas Sindikatës, ka kontribuar në futjen e një agjende politike dhe ideologjike në institucionet arsimore, pa respektuar ndjeshmërinë historike dhe kombëtare të shoqërisë kosovare.
Reagimi i SBASHK mbyllet me thirrje ndaj Ministrisë së Arsimit, Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë dhe menaxhmentit të Gjimnazit “Xhevdet Doda” që të marrin masa konkrete sa i perket rastit, në mënyrë që shkollat të mos shndërrohen në hapësira për promovimin e ideologjive që mund të dëmtojnë të vërtetën historike dhe dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
Sipas SBASHK thirrja vlen edhe për anëtarët e saj dhe punonjësit e arsimit në Kosovë, që të tregojnë vigjilencë dhe përgjegjësi profesionale, duke mos lejuar organizimin e aktiviteteve të ngjashme në shkolla, si dhe tutje riafirmon qëndrimin e saj të palëkundur në mbrojtje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të drejtuesve të saj, të cilët aktualisht po mbahen padrejtësisht në Hagë.

















