Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
10 shkurt 2026
Samir Shahini, Drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës, ka dënuar fuqishëm rastin e dhunës së ndodhur dje në Shkollën Fillore “Pavarësia”. Ai theksoi se dhuna në shkolla është e papranueshme dhe nuk do të relativizohet në asnjë mënyrë. Sipas Shahinit, rastet e tilla tashmë janë duke u trajtuar nga institucionet e sigurisë, ndërsa presin veprim të shpejtë dhe të plotë nga organet e drejtësisë.
Megjithatë, Shahini paralajmëroi se ky incident nuk është i izoluar, por pasojë e një dështimi të gjerë institucional. Ai tha se shkollat lihen shpesh të vetme përballë problemeve sociale dhe krizave familjare, pa mbështetje reale dhe kapacitete minimale për ndërhyrje.
“Drejtorët e shkollave dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit po mbajnë përgjegjësi që nuk u takojnë dhe tejkalojnë çdo kapacitet real. Pa psikologë, punëtorë socialë dhe mekanizma mbrojtës, shkolla nuk mund të menaxhojë dhunën, delikuencën apo problemet sociale,” tha Shahini.
Ai kritikoi gjithashtu Ministrinë e Arsimit për mungesë të veprimeve konkrete dhe prodhimin e udhëzimeve administrative që largohen nga realiteti i terrenit, duke rënduar punën e shkollave.
Shahini kërkoi gjithashtu që mediet të raportojnë me përgjegjësi, pa sensacionalizim, duke shtuar se shkollat dhe mësimdhënësit nuk duhet të trajtohen si shkarkues i dështimeve strukturore të shtetit.
Drejtori i Arsimit theksoi nevojën për një veprim urgjent, të koordinuar dhe të matshëm nga të gjitha hallkat – përfshirë Ministrinë e Arsimit, shërbimet sociale, organet e sigurisë, prindërit dhe mediet – dhe shtoi se vetëm veprimi konkret mund të mbrojë nxënësit dhe mësimdhënësit.

















