Rasti Banjska, tre të akuzuarit dalin sot para gjykatës

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

16 janar 2026

Seanca e radhës në procesin gjyqësor për sulmin terrorist në Banjskë ndaj Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq do të mbahet sot, raporton Reporteri.net. Seanca pritet të nisë në orën 09:30.

Fillimisht, ky rast ishte në kompetencë të gjyqtarit Arben Hoti si kryetar i trupit gjykues, por pas avancimit të tij në Gjykatën e Apelit, lënda i është kaluar një gjyqtari tjetër. Megjithatë, Gjykata Themelore në Prishtinë ende nuk ka bërë të ditur se kujt i është ndarë rasti.

Në këtë proces, Prokuroria Speciale kishte propozuar që gjykimi të vazhdojë në mungesë për të akuzuarit që ndodhen në arrati. Për këtë qëllim, Gjykata Themelore kishte kërkuar opinion nga Gjykata Supreme lidhur me zbatimin e nenit 303, paragrafi 7 i Kodit të Procedurës Penale në rastin “Banjska”. Mirëpo, Gjykata Supreme kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat procedurale të shkallës së parë.

Si rrjedhojë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar propozimin që gjykimi të zhvillohet në mungesë për 42 të akuzuarit e tjerë – 41 persona fizikë dhe një person juridik. Për këta të pandehur është lëshuar fletarrestim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për vazhdimin e procedurave penale.

Seanca e shqyrtimit gjyqësor për tre të akuzuarit u mbajt më 17 prill 2025, ku Toliq, Maksimoviq dhe Spasojeviq u deklaruan të pafajshëm. Në këtë seancë, fjalët hyrëse i paraqitën prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar. Edhe në shqyrtimin fillestar të 9 tetorit 2024, tre të pandehurit kishin mohuar fajësinë.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, më 6 dhjetor 2024, kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave. Ky vendim u konfirmua edhe nga Gjykata e Apelit më 13 mars 2025, e cila la në fuqi aktakuzën ndaj të akuzuarve në rastin “Banjska”.

Aktualisht, nën masën e paraburgimit ndodhen tre të pandehurit: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët procedura penale është veçuar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në këtë rast janë të akuzuar 44 persona fizikë dhe një person juridik, “RAD D.O.O”, ku në krye të listës është Milan Radoiçiq. Aktakuza, e ngritur më 11 shtator 2024, i ngarkon të akuzuarit për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, me qëllim shkëputjen e pjesës veriore të Kosovës dhe bashkimin e saj me Serbinë.

Si pasojë e sulmit, u vra zyrtari policor Afrim Bunjaku, u rrezikua jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe e popullatës civile, ndërsa u plagosën edhe dy policë të tjerë. Gjatë përleshjeve, mbetën të vrarë edhe tre sulmues, ndërsa pjesa tjetër u strehuan për disa orë në Manastirin e Banjskës para se të largoheshin. Përgjegjësinë për sulmin e kishte marrë Milan Radoiçiq.

Scroll to Top