Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras është duke qëndruar në veri të Mitrovicës.
Ai është duke zhvilluar takime ndaras me përfaqësues të ndryshëm politikë të serbëve në Shtëpinë e Evropës në veri të Mitrovicës.
Terras ka mbaruar takimin me përfaqësuesit e Listës serbe, ndërsa mësohet se tashmë është duke biseduar me përfaqësues të “Demokracisë serbe”.
Dje në Prishtinë, ai dënoi sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në veri, derisa theksoi se të gjithë kriminelët duhet të dalin para drejtësisë.
Mbrëmjen e 29 nëntorit ka ndodhur një shpërthim në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, në pjesën veriore të Kosovës.
Shpërthimi ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se sulmi është kriminal e terrorist dhe vjen nga bandat e orkestruara nga Beogradi.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sulmi ka pasur synim dëmtimin e infrastrukturës “mbase edhe më të rëndësishmen që kemi”.
Sulmi është dënuar prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Prej Ibër-Lepencit furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të Kosovës, gjithashtu Koorportata Energjetike e Kosovës.