Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj ministres Rozeta Hajdari, opozita: Asgjë s’u bë pa aprovimin e Kurtit

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

12 nentor 2025

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ndaj Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit, lidhur me kontraktimin e rezervave shtetërore të mallrave gjatë vitit 2022.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit akuzohen për keqpërdorim detyre me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë, si dhe për shkaktim të dëmit mbi buxhetin e shtetit në vlerë rreth 3 milionë euro. R.H., I.L. dhe H.G. po ashtu akuzohen për zbardhje të fshehtësisë zyrtare, duke i dhënë informacionin mbi vendndodhjen e rezervave shtetërore Ridvan Muharremit, i cili akuzohet për ndërmjetësim dhe propozim të operatorëve ekonomikë në emër të rezervave.

Ministrja Hajdari, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se është informuar nga avokati i saj për dorëzimin e aktakuzës në Gjykatën Themelore të Prishtinës. “Sapo u njoftova nga avokati im për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne,” ka shkruar Hajdari.

Pas ngritjes së aktakuzës kanë reaguar partitë opozitare. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e kanë lidhur rastin me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se asnjë vendim i ministrave të Qeverisë Kurti nuk është marrë pa dijeninë e tij, ndërsa deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, u shpreh e habitur që kryeministri nuk figuron në aktakuzë dhe e akuzoi për vendime dhe kontrata të dyshimta lidhur me mallrat strategjike.

Bajrami gjithashtu theksoi: “U befasova se si ai nuk qenka pjesë e aktakuzës!”

Scroll to Top