Policia zhvillon bastisje të gjerë në burgun Dubravës

Koha e parashikuar e leximit: 1 minut

16 janar 2026

Në Qendrën Korrektuese të Dubravës është zhvilluar një operacion i gjerë kontrolli nga zyrtarët korrektues, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe rritjen e nivelit të sigurisë brenda institucionit.

Gjatë aksionit janë kontrolluar të gjitha hapësirat e brendshme, përfshirë dhomat e të burgosurve, si dhe ambientet e jashtme, salla e sportit dhe hapësira të tjera shoqëruese. Në operacion kanë marrë pjesë edhe zyrtarë korrektues nga institucione të tjera korrektuese, si dhe njësiti special K9.

Sipas njoftimit zyrtar, pas përfundimit të bastisjes nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm. Megjithatë, gjatë kontrolleve janë larguar disa sende të tepërta nga dhomat e të burgosurve dhe hapësirat e përbashkëta.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka falënderuar të burgosurit për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar gjatë operacionit, duke theksuar se aksione të tilla kanë për synim garantimin e sigurisë dhe krijimin e një ambienti korrektues të qetë dhe të sigurt.

Scroll to Top