Pesë vjet nga aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve, gjykimi drejt fundit

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

05 nentor 2025

Më 5 nëntor të vitit 2020 ishte bërë publike nga Dhomat e Specializuara në Hagë, aktakuza ndaj ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Veprat e pretenduara ndaj tyre kanë të bëjnë “me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Po më 5 nëntor 2020, Thaçi, Veseli, dhe Selimi u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, ndërsa Krasniqi u transferua një ditë më parë, më 4 nëntor 2020. Procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve nisi më 3 prill 2023.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi para trupit gjykues u deklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, me të cilën i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar e që lidhen me krime lufte.

Gjyqi ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, po shkon drejt përfundimit.

Ish gjenerali amerikan, Wesley Clark do të jetë i fundit nga dëshmitarët e mbrojtjes së Thaçit që do të dëshmojë në Hagë.

Nuk është e qartë se kur saktësisht Clark do të ulet në bankën e dëshmitarit të mbrojtjes, por, sipas mbrojtjes, ai ka njoftuar se nuk mund ta nisë dëshminë para 18 apo 19 nëntorit.

Mbrojtja e Thaçit kishte parashikuar paraprakisht se do t’i kryente dëshmitarët deri më 14 nëntor, megjithatë gjykata i ka lejuar më shumë kohë.

Deri tani, në mbrojtje të Thaçit kanë dëshmuar ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, Paul Williams, dhe ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan.

Që të gjithë thanë në dëshmitë e tyre se Thaçi nuk kishte autoritet mbi UÇK.

Scroll to Top