Përplasjet për doracakët “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues”, tri komunat që udhëhiqen nga opozita ndalojnë përdorimin e tyre

Përplasjet për doracakët “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues”, tri komunat që udhëhiqen nga opozita ndalojnë përdorimin e tyre

Doracakët “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues” për mësimdhënësit kanë shkaktuar një valë debatesh dhe reagimesh në opinionin publik, kryesisht lidhur me përmbajtjen e tyre dhe ndikimin që mund të kenë në mësimdhënien e fëmijëve dhe adoleshentëve.

Ndërkohë që përplasjet ndërmjet partive opozitare dhe pushtetit vazhdojnë të thellohen, disa komuna në vend kanë marrë vendime për të ndaluar përdorimin e doracakëve “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues” për nivele të ndryshme arsimore, duke përfshirë klasat 1-5, 6-9 dhe 10-12.

Komuna e Prishtinës njoftoi ditën e enjte për ndalimin e doracakëve, pas kryeqytetit një vendim të tillë e ka marrë edhe Komuna e Fushë Kosovës dhe Komuna e Skenderajt.

Thirrje për mos përdorimin e këtyre doracakëve ka bërë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili në një reagim në Facebook, ka ftuar komunat që udhëhiqen nga AAK të mos e përdorin doracakun e lartëpërmendur.

Përkundër zhurmës që u krijua në opinion, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka përsëritur qëndrimin e tyre duke njoftuar se doracakët nuk janë obligativ dhe nuk janë tekste mësimore për nxënësit.

“MASHTI njofton prindërit, palët e interesit se këta doracakë nuk janë obligativ dhe nuk janë tekste mësimore për nxënësit. Propaganda që po zhvillohet ditëve të fundit, shoqëruar me dezinformata dhe manipulime duke konstatuar se këta doracakë janë kurrikula arsimore e pastaj duke i paraqitur si libra shkollorë për nxënës e deri tek obligueshmëria e zbatimit të tyre, është në dëm të mirëqenies dhe sigurisë së fëmijëve”, thuhet në njoftimin e tyre.

Gjithashtu, MASHTI ka pohuar se “me përgjegjësi të plotë punojmë dhe angazhohemi për mirëqenien e fëmijëve. Tre vitet e fundit kemi rishikuar shumë tekste dhe dokumente që kanë përmbajtje dhe gjuhë të papërshtatshme dhe denigruese sikurse edhe pasaktësi shkencore”.

Reagime ka pasur edhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK), të cilët në reagimin e tyre kanë shprehur shqetësim të thellë ndaj doracakut të titulluar “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues” për klasat 1-5, të përgatitur për mësimdhënësit nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).

Scroll to Top