Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
22 dhjetor 2025
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka nisur gjykimi ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës.
Të tre të akuzuarit po gjykohen për vrasje të rëndë, në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Ndryshe, raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës thuhet fillimisht se plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.
Poashtu në Gjykatë po shfaqen video-incizimet e ditës kritike të vrasjes së Liridona Ademajt.
Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq, ka komentuar pamjet e siguruara nga dita kritike, duke shpjeguar lëvizjet e të akuzuarve para ngjarjes.
Sipas Prokurorisë, në orën 10:14, nga shtëpia e Naim Murselit del vetë Murseli, i cili më pas merr rrugë drejt një pompe të derivateve “Eco Pompa”, e cila ndodhet në fshatin Rakovinë.
Në pamje të tjera shihet duke arritur në të njëjtën pompë të derivateve edhe Granit Plava.
Më pas, sipas pamjeve shihet momenti kur Granit Plava hyn në veturën e tipit “Range Rover”, në pronësi të Naim Murselit.

















