Mungesa e Rozeta Hajdarit, dështon seanca në rastin e rezervave shtetërore

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

10 dhjetor 2025

Seanca e shqyrtimit fillestar në rastin e rezervave shtetërore ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka dështuar të mbahet të martën për shkak të mungesës së saj.

Përveç Hajdarit, në këtë rast të akuzuar janë edhe Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.

Në seancë ishin të pranishëm Lipovica, Gara dhe Muharremi, ndërsa mungoi Hajdari dhe mbrojtësi i të pandehurit Lipovicës.

Gjyqtari Avni Syla tha se Hajdarit i është dërguar e-mail zyrtar për seancën e sotme, mirëpo gjykata nuk ka pranuar konfirmim nga ana e saj nëse e kanë marrë ftesën apo jo.

Po ashtu, në sallë munguan edhe përfaqësuesit e palës së dëmtuar – Avokatura Shtetërore – ndonëse, sipas gjykatës, ata kanë pranuar ftesën për seancë. Përmes një parashtrese drejtuar gjykatës, Avokatura ka njoftuar se për çështjen në fjalë kanë iniciuar procedurë edhe në Gjykatën Komerciale në Prishtinë dhe kanë konfirmuar se do të marrin pjesë në seancat e shqyrtimit gjyqësor.

Gjyqtari Syla tha se, për shkak të mungesës së Rozeta Hajdarit dhe të mbrojtësit të të pandehurit Hafiz Gara, seanca nuk ka kushte të mbahet, andaj është caktuar një seancë e re.

“Në mungesë të Rozeta Hajdarit dhe mbrojtësit të të pandehurit Hafiz Gara, seanca e sotme nuk ka kushte të mbahet. Seanca e radhës caktohet për datën 13 janar në orën 09:30. Për të akuzuarën Rozeta Hajdari obligohet mbrojtësi Floret Latifaj që ta njoftojë për seancën”, tha Syla.

Më 11 nëntor Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Hajdarit dhe të tre të akuzuarve të tjerë në lidhje me rastin e njohur si “Rezervat shtetërore”.

Scroll to Top