Mitrovicë: Dyshohet për parregullsi në numërimin e votave, ndërhyn Prokuroria

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

10 nentor 2025

Procesi i rinumërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë është ndërprerë pas evidentimit të disa parregullsive të mundshme. Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Mitrovicës, Ferdi Kadriu, ka bërë të ditur se janë gjetur fletëvotime me numër serik që nuk përputhen me klasën përkatëse.

Sipas Kadriut, pas konstatimit të këtyre parregullsive, në proces kanë ndërhyrë organet e rendit dhe të drejtësisë, duke pezulluar punën në qendër. Ai tha se numëruesit janë larguar nga salla dhe se procesi është ndalur deri në sqarimin e plotë të situatës.

“Janë evidentuar fletëvotime me numër serik të ndryshëm nga klasa përkatëse. Aktualisht procesi është ndërprerë nga Prokuroria dhe Hetuesia, ndërsa zyrtarët janë nxjerrë jashtë,” ka deklaruar Kadriu në një postim në rrjetet sociale.

Ai e cilësoi këtë zhvillim si shqetësues dhe kërkoi që institucionet kompetente të hetojnë rastin deri në fund, për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

“Kjo situatë është serioze dhe meriton vëmendjen e të gjithëve. Vullneti i qytetarëve është themeli i zgjedhjes së pushtetit lokal dhe ky vullnet nuk guxon të deformohet,” shtoi Kadriu.

Organet e hetuesisë pritet të japin detaje të mëtejshme mbi rastin pas përfundimit të verifikimeve

Scroll to Top