Mbi  100 zyrtarë ftohen për intervistim, të dyshuar për manipulim të rezultateve zgjedhore në Prizren

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

23 jaanr 2026

Policia e Kosovës, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren, ka nisur veprime hetimore lidhur me dyshimet për manipulim të votës dhe falsifikim të dokumenteve zgjedhore në zgjedhjet për deputetë.

Sipas raportimit të “Betimi për Drejtësi”, në kuadër të hetimeve janë ftuar për intervistim mbi 100 zyrtarë të angazhuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë procesit zgjedhor të 28 dhjetorit, ndërsa gjatë ditës pritet që të ketë edhe persona të ndaluar.

Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, kishte autorizuar më herët me shkrim Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprime hetimore me vetiniciativë, duke identifikuar personat përgjegjës dhe duke siguruar prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet. Ky autorizim ishte konfirmuar publikisht nga Kryeziu disa ditë më parë.

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të votave dhe se, me afrimin drejt përfundimit të këtij procesi, janë evidentuar parregullsi dhe keqpërdorime të dukshme gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit.

Sipas Prokurorisë, në disa vendvotime janë konstatuar mospërputhje mes fletëvotimeve dhe votave të numëruara për kandidatët brenda subjekteve politike, çka ka ngritur dyshime serioze për manipulim të votave.

Poashtu nga Prokuroria është theksuar se manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore përbëjnë vepra penale dhe se këto raste do të trajtohen me prioritet dhe pa asnjë kompromis.

Scroll to Top