Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
04 dhjetor 2025
Juristja e medias, Flutura Kusari, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, drejtuar ish-deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi. Ajo i ka cilësuar komentet e Lushtakut si “të tmerrshme, të papranueshme dhe të rrezikshme për të gjitha gratë që marrin pjesë në jetën publike”.
Reagimi i Kusarit erdhi pas një deklarate të bërë nga Lushtaku gjatë ditës së sotme, menjëherë pasi u betua në detyrën e kryetarit të komunës. I pyetur nga gazetarët lidhur me akuzat e Matoshit — e cila pretendonte se ai kishte blerë tokë me çmime të ulëta dhe më pas i kishte shitur me vlera shumë të larta — Lushtaku përdori gjuhë denigruese, duke thënë se niveli i saj ishte “sikur kur del prej një shtëpie publike”.
Lushtaku shtoi se Matoshi dhe gratë e tjera në politikë duhet të jenë të kujdesshme në deklarimet e tyre, pasi, sipas tij, fjala e tyre ka peshë të madhe. Ai theksoi se politikanët duhet të shmangin ofendimet dhe të flasin me fakte kur kritikojnë punën e njëri-tjetrit.

















