Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
15 janar 2026
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kanë bërë homazhe në Reçak, në 27-vjetorin e Masakrës që tronditi Kosovën dhe opinionin ndërkombëtar.
Gjatë ceremonisë përkujtimore, presidentja Osmani theksoi se, edhe pas 27 vitesh, Serbia vazhdon të ndjekë të njëjtat politika, ndërsa Kosova mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e së vërtetës historike.
“Edhe pas 27 vitesh, Serbia vazhdon me të njëjtat politika. Ne do të vazhdojmë ta mbrojmë të vërtetën jo vetëm në Kosovë, por në mbarë botën. Sot jemi të lirë dhe e gëzojmë lirinë sepse themelet e shtetit tonë janë ndërtuar mbi gjakun e martirëve të Reçakut dhe të gjithë dëshmorëve”, deklaroi Osmani.
Nga ana e tij, kryeministri në detyrë Albin Kurti u zotua se institucionet e Kosovës nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për krimet e kryera nga Serbia ndaj popullit shqiptar.
“Jemi këtu së bashku, si krerë të institucioneve, për të shprehur dhimbjen tonë për këtë plagë të hapur, e cila ende nuk ka marrë drejtësi. Njëkohësisht, riafirmojmë përkushtimin tonë për t’i sjellë kriminelët para drejtësisë dhe për t’i ndëshkuar për mizoritë e kryera 27 vjet më parë”, u shpreh Kurti.
Homazhe në Reçak ka bërë edhe ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, i cili ishte një nga figurat kyçe në ndërkombëtarizimin e Masakrës së Reçakut.

















