KEK-u shkyç Njësinë B1 të Kosovës B për shkak të defekteve teknike, furnizimi me energji mbetet i qëndrueshëm

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

09 shkurt 2026

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se gjatë ditës së sotme janë evidentuar rrjedhje të konsiderueshme të avullit në njësinë B1 të Termocentralit Kosova B. Sipas KEK-ut, problemi është vërejtur rreth orës 10:00 në sistemin e gypave brenda kaldajës.

Pas vlerësimeve teknike, për shkak të pamundësisë për të vazhduar operimin në mënyrë të sigurt dhe për të shmangur dëmtime më të mëdha teknike, është marrë vendimi që njësia B1 të shkyçet nga operimi para orës 18:00, si masë parandaluese për ruajtjen e integritetit të saj.

KEK thekson se, pavarësisht ndaljes së kësaj njësie, furnizimi me energji elektrike mbetet i siguruar. Sistemi po operon në mënyrë stabile me katër njësi gjeneruese aktive, duke prodhuar rreth 13,560 MWh energji elektrike në ditë, çka mbulon 87.6% të kërkesës totale për konsum, e cila për ditën e nesërme është parashikuar në 15,471 MWh nga KESCO.

Sasia e mbetur e energjisë për shërbimin universal po sigurohet përmes blerjeve në bursën ALPEX dhe shkëmbimit të energjisë me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH Sh.A.), në bazë të marrëveshjes ekzistuese të bashkëpunimit.

Po ashtu, KEK bën të ditur se ka arritur të mbulojë rreth 75% të kërkesave për humbjet në rrjetet e shpërndarjes dhe transmisionit, përkatësisht në KEDS dhe KOSTT.

Për rikthimin e njësisë B1 në operim, KEK njofton se opinioni publik do të informohet me kohë, pas përfundimit të kontrolleve teknike, duke ritheksuar përkushtimin për operim të sigurt dhe furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike në vend.

Scroll to Top