Ish-kreu i Apelit: Ministrja Hajdari mund të përballet me deri në 13 vjet burg nëse provohen akuzat

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

12 nentor 2025

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka deklaruar se ministrja në detyrë e Tregtisë, Rozeta Hajdari, mund të përballet me një dënim deri në 13 vjet burg, nëse prokuroria arrin të vërtetojë akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe zbulim të sekreteve shtetërore.

Sipas Shalës, veprat për të cilat akuzohet Hajdari dhe zyrtarët e tjerë janë “jashtëzakonisht serioze”. Ai ka sqaruar se, bazuar në nenin 414, paragrafi 2 të Kodit Penal, për dëmin që dyshohet se i është shkaktuar buxhetit të shtetit – rreth 3 milionë euro – parashihet dënim deri në 10 vjet burg, ndërsa për zbulimin e sekretit shtetëror deri në 3 vjet burg.

Shala nuk e përjashtoi mundësinë që në të ardhmen të ngrihet aktakuzë edhe ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nëse vërtetohet se ka qenë i informuar për veprimet që lidhen me këtë rast.

“Ka informacione se çdo gjë që u bë në këtë lëndë ka qenë në dijeni të kryeministrit. Ekziston mundësia që një ditë të ketë aktakuzë edhe ndaj tij si bashkëpjesëmarrës në këtë vepër penale,” tha Shala.

Megjithatë, ai theksoi se të gjithë personat e përmendur në aktakuzë prezumohen të pafajshëm derisa të ketë një vendim përfundimtar të gjykatës.

Scroll to Top