IHMK paralajmëron vazhdim të reshjeve të shiut, disa lumenj kanë dalë nga shtrati

Koha e parashikuar e leximit: 1 minut

06 janar 2026

Reshjet e vazhdueshme të shiut gjatë natës kanë shkaktuar vërshime në disa zona të Kosovës. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se si pasojë e reshjeve intensive të ditëve të fundit, janë shënuar vërshime lokale në pjesën perëndimore të vendit, përfshirë Gjakovën, Junikun, Deçanin, Malishevën dhe Klinën, si dhe në disa zona të pjesës qendrore.

Sipas IHMK-së, disa lumenj dhe përrenj kanë dalë nga shtretërit e tyre, duke shkaktuar probleme lokale. Instituti paralajmëron se reshjet e shiut do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me intensitet të ndryshueshëm.

“Këto kushte atmosferike mund të sjellin vërshime të reja lokale, vështirësi në qarkullim, probleme në sistemet e kanalizimit dhe pengesa në trafik”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, lumenjtë kryesorë të vendit, veçanërisht në pjesën qendrore, lindore dhe jugore, përfshirë Ibrin, Sitnicën, Lepencin dhe Moravën e Binçës, kanë shënuar rritje të lehtë të nivelit të ujit.

Scroll to Top