Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
01 dhjetor 2025
Ka hyrë në javën e dytë protesta e punëtorëve të “Trafikut Urban”.
Transportuesit e “Trafikut Urban” po protestojnë para Komunës së Prishtinës e Qeverisë duke kërkuar që t’u bëhet pagesa.
Sindikalistët e “Trafikut Urban” dhe operatorëve publiko-privat kanë thënë se grevën do ta vazhdojnë deri në realizimin e kërkesës së tyre.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se sa i përket situatës me punëtorët e Trafikut Urban, Ministrit Muratit as që i intereson kjo pjesë.
Në anën tjetër, Ministrin në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka akuzuar Kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën.
Ai ka thënë se Rama për shkak të vendimeve elektorale e ka futur Komunën në obligime pa mbulesë.
“Problemi i parë te transporti publik është i vetëshkaktuar dhe do të ndodhte edhe po të kishte buxhet të miratuar pasi ka pasur vendime elektorale për të larguar nga pagesa shumicën e qytetarëve dhe kësisoj barrën e ka marrë përsipër Komuna në një kohë kur nuk ka pasur buxhet të miratuar”, kishte deklaruar Murati javën e kaluar.

















