Deputeti i LDK-së Avdullah Hoti, vlerëson se qeveria gjatë mandatit katërvjeçar, nuk ka investuar buxhetin aty ku ai mendon se është dashur.
“Buxheti katërvjeçar gjatë këtij mandati qeverisës, ka qenë 11.4 miliardë euro. Ndikimi në ekonomi dhe shoqëri është pothuajse zero, në kontekst të ndryshimit të strukturës ekonomike dhe shoqërore të vendit”, u shpreh ai.
“Pse ka ndodhur kështu, e para, për shkak se është përkeqësuar struktura e buxhetit, ka ndërruar raportet mes subvencioneve, dhe investimeve kapitale”, shtoi ish-kryeminstri.
Ai tutje gjatë seancës plenare të Kuvendit, tha se gjithkush që ka njohuri elementare të ekonomisë, e di që me subvencione mbahen familjet dhe njerëzit në nevojë, por nuk zhvillohet ekonomia.
“Janë rreth 520 milionë euro subvencione të paguara për entitetet publike, gjatë këtij mandati. 113 milionë euro, subvencione për energjinë në veri, me të cilat jam i sigurt që do të ishte financuar plotësisht projekti i gazit për energji”, shtoi Hoti.
Seanca e Kuvendit sot ka vetëm një pikë në rend dite, që është shqyrtimi i buxhetit prej 3.6 miliardë eurosh.