Muzeu i Mitrovicës mirëpriti mbrëmë dhjetëra vizitorë në hapjen e ekspozitës etnologjike “Një Jetë në Gajtan.” Kjo ngjarje unike, e realizuar në bashkëpunim me Fondacioni Dhemetra dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndriçoi trashëgiminë kulturore materiale të rajonit të Mitrovicës përmes mjeshtërisë së punës së dorës në tekstil.
Ekspozita paraqet një koleksion të pasur veshjesh tradicionale të shekujve XIX-XX, përfshirë jelekë, mintanë, xhamadan dhe dollame të punuara me gajtan, të mbledhura ndër vite në fondin e muzeut. Përmes këtyre objekteve, vizitorët patën mundësinë të përjetojnë dhe reflektojnë mbi rolet shoqërore, kulturore dhe ekonomike që ky koleksion pasqyron.
Fjalën e hapjes e mbajtën Fitore Bala Bucaliu, drejtore e Fondacionit “Dhemetra,” dizajnerja Era Buza dhe kuratorja Nora Prekazi Hoti, të cilat theksuan rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore.
Ekspozita është e hapur për publikun dhe ftojmë të gjithë të vizitojnë këtë rrugëtim përmes fijeve të gajtanit që rrëfejnë historinë dhe kulturën e pasur të rajonit tonë.